
U desh debati që hapi Autoriteti i Dosjeve, i cili beson se është emri i ish-Presidentit Ilir Meta në shkresat e ish-Sigurimit të Shtetit, që Partia Demokratike të kthejë në nismë ligjore premtimin e vitit 2017 për dekomunistizimin. Deputetja Orjola Pampuri tha se përmes këtyre ndryshimeve ligjore që shkojnë përtej nismës së PS-së, PD-ja synon ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist.
“Për herë të parë, projektligji ka sanksionuar “natyrën kriminale të regjimit totalitar komunist”, “regjimin totalitar komunist”, “simbolet e regjimit totalitar komunist”, “propagandën e regjimit” dhe “organet e diktaturës komuniste”, tha Pampuri.
Hapi i dytë është shtrirja e efektit të dekomunistizimit përmes arsimit dhe kulturës në vend, duke ndryshuar kurrikula dhe programe: “Ky projektligj ofron për herë të parë detyrimin e ministrive të Arsimit dhe Kulturës, por edhe çdo organi tjetër shtetëror, që të rishikojnë kurrikulat, dokumentet, programet dhe strategjitë e tyre në përputhje me hulumtimet dhe gjetjet shkencore të ISKPSH-së mbi krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri”.
Si qëllim final janë ndalesat deri tek përfaqësimi në Kuvend, pushtet vendor apo deri tek zgjedhja në krye të shtetit: “Me këtë projektligj, partive dhe organizatave politike iu ndalohet edhe propozimi i kandidatëve për anëtarë të pushtetit legjislativ dhe vendor, përfshirë pozicionin e Kreut të Shtetit, nëse gjatë veprimtarisë së tyre propagandojnë regjimin totalitar komunist dhe/ose përdorin simbole të tij. Tërësia e këtyre masave ligjore synon dekomunistizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, në çdo qelizë të saj”.
Të vetëdijshëm se ky projektligj e bën të paplotë ndarjen njëherë e mirë nga e shkuara e komunizmit, Pampuri nënvizoi se lustracioni duhet të jetë akti përfundimtar, nismë e cila u depozitua në Kuvend nga qeveria e Berishës në vitin 2015, por u kundërshtua nga Partia Socialiste. Në fundjavë, kryeministri Edi Rama tha se ishte pro ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Autoriteti i Dosjeve, por edhe për ndërhyrje të posaçme në ligjin e dekriminalizimit.
(A2 Televizion)