
PD-ja ka paditur në Gjykatë Kushtetuese koncesionin e Butrintit. Deputetja Ina Zhupa deklaroi se kërkohet shfuqizimi i ligjit për koncesionin, pasi sipas saj do të krijonte dëme të parikuperueshme.
“Kemi ardhur bashkë me provat për të depozituar padinë në Gjykatën Kushtetuese kundër koncesionit të Butrintit. Ne i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit për koncesionin e Butrintit dhe kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të këtij ligji për shkak sepse krijon dëme të cilat do të ishin të pariparueshme nëse do të prisnim deri në momentin e shfuqizimit.
Së pari është shkelur neni 3 i Kushtetutës. Në rast të këtij koncesioni nuk është shteti shqiptar, sepse shteti shqiptar ka vetëm 20%, nëse këtë 20% do ta quajmë përfaqësimin e tij më ministren Elva Margariti.
Së dyti, është shkelur Konventa e Parisit, konventa e trashëgimisë kulturore sepse siç e dini Butrinti është jo vetëm pasuri shqiptare, por është edhe pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO. Është shkelur konventa sepse konventa kërkon që site të tjera të trashëgimisë kulturore të menaxhohen dhe të administrohen nga shteti”. (A2 Televizion)