
Partia Demokratike do të padisë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për çështjen e inceneratorëve. Lajmin eka dhënë nënkryetarja e PD Jorida Tabaku, që është edhe kreu i Komisionit Hetimor për Inceneratorët.
“Komisioni i Inceneratorëve ka vërtetuar atë që PD ka thënë që në krye të herës gjatë kësaj kohe, qeveria ‘Rama” i vodhi shqiptarëve 430 mln euro. Unë jam këtu për t’ju informuar që sot menjëherë pas kësaj konference PD do të dorëzojë fakte shtesë në organin e akuzës, në SPAK për sa i përket Erion Veliaj”, ishin fjalët e Tabakut.
Sipas saj, gjatë dëshmisë te Komisionit Hetimor, Veliaj “u kap në dëshmi të rreme". Sipas saj Kryebashkiaku ka miratuar një projekt me kosto 91 milionë euro për buxhetin e bashkisë Tiranë, pa mbledhur Këshillin Bashkiak. "Problemi në lidhje me dëmin financiar që paguajnë sot qytetarët shqiptarë është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse qytetari Erion Veliaj, në vetëdije të plotë, në kundërshtim me ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” merr përsipër një angazhim financiar, merr përsipër detyrime financiare të Qarkut Tiranë për t’ia paguar koncensionarit. (A2 Televizion)