"Legalizimi i kanabisit krijon të ardhura", Rama: Partnerët janë skeptikë, por ata nuk jetojnë këtu

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2022, 11:55 | Politikë
"Legalizimi i kanabisit krijon të ardhura", Rama: Partnerët

Kryeministri  Edi Rama iu rikthye turit të këshillimit kombëtar në një takim me banorët në Dibër. Nga formalizimi i kursimeve të emigrantëve, te drejtësia, kanabisi dhe evazioni fiskal, ishin disa nga temat e trajtuara me banorët. Kryeministri kërkoi mendimin qytetar për shkak të dilemave, duke kërkuar që vendimmarrjet e qeverisë të mbështetet edhe te bindja e tyre.

Për legalizimin e kanabisit, kreu i qeverisë tha se partnerët ndërkombëtarë janë skeptikë, por ata nuk jetojnë këtu, ndërsa përmendi të ardhurat e rëndësishme që mund të burojnë prej tij.

“Sot mbase ka ardhur koha mundësinë e marrjes së këtij vendimi sepse legalizimi i kanabisit mjekësor si lëndë bazë për farmaceutikën po tregon që ka të ardhura të rëndësishme në ekonomi, krijon punësim një zë të ri në eksport dhe më shumë të ardhura. Po duke pasur parasysh historikun ne duhet të mendohemi dy herë para se të marrim këtë vendim. Në të njëjtën kohë kur vjen puna te partnerët ata janë skeptikë, por ata nuk jetojnë këtu”.

Partnerët ndërkombëtarë i shigjetoi edhe kur përmendi nevojën për drejtësi të publikut dhe dilemën e qeverisë.

“Nëse konstatohet një shkelje flagrante nga gjyqtarë apo prokurorë, këta janë nën hetim, po qe se rezulton që kanë shkelur përjashtohen nga sistemi, por sa kohë vazhdojnë hetimet ata punojnë. Dhe këtu pyetja është a duhen pezulluar automatikisht, t’iu ndalohet  e drejta e ushtrimit të detyrës deri kur të përfundojë hetimi?. Ne jemi në këtë dilemë që këta të ndalen na intereson mbështetja qytetare si një provë që vendimi buron nga nevoja për drejtësi e publikut. Një pjesë të tyre i përballim dhe me komunitetin ndërkombëtar dhe partnerët që shpesh flasin pa e marrë parasysh që ne jetojmë këtu dhe ne i vuajmë gjërat që ndodhin këtu apo i përfitojmë drejtpërdrejt ato që burojnë nga vendime të vështira”.

Për evazionin fiskal Rama tha se kërkohet vullnet i fortë politik dhe qasje për të goditur shmangien e taksave nga të mëdhenjtë, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë.

“Një ndër vendimet është edhe evazionit fiskal shmangia e taksave të kompanive të mëdha që janë përfitueset dhe kontribuueset në buxhetin e shtetit. Kërkon një vullnet të fortë politik dhe qasje tjetër për të goditur evazionin apo shmangien e taksave. Ndëshkimi për shmangien e taksave është shumë i rëndë dhe më i madh se ajo që t’i mund të vësh mënjanë, duke mbajtur për vete dhe jo duke e çuar në buxhetin e shtetit. Ka pasur raste kur punonjësi kthen një pjesë të pagës se kanë frikë që po folën nuk bëhet gjë dhe punëdhënësi mund t’i heqë nga puna. Ajo që ne kemi shtruar në pyetësor është angazhimi i qeverisë për këta punonjës”.

Duke mos e konsideruar vendim të lehtë atë të formalizimit të emigrantëve, Rama tregoi pse kanë vendosur të pyesin qytetarët.

“Kursimet e emigrantëve nuk janë të formalizuara, janë nga puna në të zezë e punë të vështira dhe nuk mund të depozitohen nëpër banka as në vendet ku janë dhe as këtu se procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime përmes dokumenteve dhe të vënë para vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e të ardhurave dhe këtu flasim për burim nga puna, se nga aktivitete kriminale kjo vendimmarrje i përjashton. Edhe qeveritë e mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë do të thotë që nuk është i lehtë prandaj kemi vendosur të pyesim njerëzit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos