Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia vijoi me akuzën se në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur disa dokumente që sipas tij faktojnë tenderat sekrete gjatë periudhës së pandemisë, ku sipas tij u vodhën mijëra euro.
Spahia publikoi një e-mail që sipas tij është zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili tregon se zjarri ka rënë në zyrën e Prokurimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai ka aktivizuar alarmin antizjarr të godinës.
Sipas Spahiu, investimi i menjëhershëm i Manastirliut për të mohuar këtë gjë tregon se ajo është e përfshira direkte në këtë skandal ku po tentohen të fshihen provat e aferave korruptive.
“Ministrja e Shëndetësisë gënjeu publikisht dje kur mohoi publikisht dje se në Ministrinë që ajo drejton janë djegur dokumentet. Ajo e dinte shumë mirë se informacioni i bërë publik nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i vërtetë. Qeveria po e përdor heshtjen për denoncimet tona si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve. Aq shumë dokumente janë djegur në ministri brenda një dite sa është aktivizuar sinjali antizjarr. E vërteta është se më 15 prill në orën 18:00 në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës. Ky është një email i MSH që provon zjarrin në zyrën e Prokurorimeve, pikërisht atë që mohoi ministrja. Në email thuhet shprehimisht “pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura në katin e katërt, tymi i të cilave aktivizoi alarmin”, u shpreh Spahia. (A2 Televizion)
