Penguan ndërtimin e ujësjellësit, policia shoqëron 17 banorë të fshatit Zerqan

Nga A2 CNN
31 Korrik 2019, 18:17 | Aktualitet
Penguan ndërtimin e ujësjellësit, policia shoqëron 17

Banorët e fshatit Zerqan në Bulqizë vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e një ujësjellësi pasi sipas tyre ata nuk janë pyetur për këtë çështje.  Banorët nuk kanë lejuar vijimin e punimeve me pretendimin se nuk është bërë transparencë nga ana e bashkisë Bulqizë.

Ata e kanë  kundërshtuar me forcë këtë projekt, i cili ka të bëjë me shfrytëzimin e burimit të ujit që ndodhet në "Zabelin e Madh" në fshatin Zerqan. Pengimi i punimeve nga ana e banorëve ka bërë që policia e Bulqizës të shoqërojë 17 banorë të fshatit Zerqan në komisariat.

Dhjetëra banorë të tjerë u mblodhën para komisariatit të Bulqizës duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarëve të tyre. Ata kërkojnë që për ujësjellësin të gjendet një burim tjetër alternativ dhe jo ai që është planifikuar pasi fshati më pas do të thahej.

Banorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave dhe pengimin e punës, derisa të gjendet një zgjidhje tjetër e problemit në fjalë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos