
Përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Bylisi do të sfidojë Tiranën, ndërsa Teuta do të ndeshet me Kukësin, për një vend në finale, ku përveç objektivit për të fituar trofeun, në lojë është edhe një biletë në Kupat e Europës.
Kukësi do të sfidojë Teutën, në duelin ndërmjet dy skuadrave që synojnë ta mbyllin sezonin me trofe, ndërsa Tirana do të ndeshet me Bylisin. Ky është verdikti i shortit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.
“Çdo vit futemi në garë për titull. Tirana është shkëputur, pavarësisht se jemi ende në garë matematikisht, është shumë e vështirë. Kështu që synojmë Kupën që të plotësojmë sado pak sezonin tonë”, tha Nderim Nexhipi, drejtor sportiv i Kukësit.
“Jemi në moment të mirë dhe shpresojmë t’i kalojmë këto ndeshje dhe ta shikojmë ekipin në finale. Ky është objektivi i klubit, që në fillim të sezonit. Kemi 100 vjetorin dhe qyteti, tifozët, të gjithë ne, synojmë të çojmë një trofe për këtë vit”, tha Enid Furrxhi, shef klubi i Teutës.
Të katërta skuadrat e mbetura në garë kanë ambicie për ta fituar trofeun. Festat e100-vjetorit, mbrojtja e kurorës apo edhe triumfi menjëherë në vitin e parë prej rikthimit në elitë dhe mënyra për të siguruar një biletë për kupat e Europës siç është rasti i Bylisit.
“Ne jemi në garë për të dy objektivat, si në kampionat, ashtu dhe në Kupë. Jemi tre ndeshje larg Kupës, dhe pse jo t’i fitojmë të dy trofetë në këtë vit jubilar”, tha Arbi Laçi, drejtor sportiv i Tiranës.
“Më mirë në gjysmëfinalen me ekipin më të mirë, se sa në finale me tek ndeshje. Normalisht që besoj te finalja, pasi kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi eliminuar ekipe të vështira. Kupa është më e afërt për të shkuar në Europë, por nuk do të lëmë pas dore as kampionati”, tha presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj.
Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës do të luhen në datat 2 dhe 15 korrik, ndërsa finalja për trofeun, në datën 2 gusht. (A2 Televizion)