
“Në Eneidën e Virgjilit, poeti latin thotë që të gjitha fillimet e kanë kuptimin e tyre në fund. Ne po presim pikërisht fundin e kësaj përballje Basha-Berisha, për të gjetur kuptimin”. Analisti Aleksandër Çipa është kritik për zhvillimet e fundit në partinë më të madhe opozitare në vend.
“Natyra e politikbërjes në tranzicionin postkomunist ka qenë e shfaqur përmes patetikës dhe një retorike të kësaj natyre. Do të ishte mirë që PD, si alternativa e vetme për të garantuar rotacion, të ishte në një forme tjetër. Rikthimi i duelit midis të atit dhe të birit politik, ishte diçka për të cilin opinioni shqiptar nuk ishte i përgatitur”, thotë Çipa në A2 CNN.
Sipas tij, “në momentin që Berisha u shpall non grata nga Departamenti i Shtetit, rrjedhja e ngjarjes ishte e ndryshme nga ato që kishim menduar. PD nuk po shfaq një pjesë të njerëzishme të saj, për ofrimin e një alternative të tretë, për ato zëra që mund të jenë rezultantja bashkuese.
Analisti mendon se nuk është puna e zaptimit të një godine, qoftë selia e partisë, por ky është një kapitull që do ekspozojë një substancë të ndërgjegjes politike që nuk i shërben shoqërisë dhe as një partie politike që pretendon se i përket të djathtës tradicionale”. (A2 Televizion)