
Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e 9 personave me akuzën e mashtrimit kompjuterik. Këta shtetas kanë përfituar rreth 38 000 euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, këta persona kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme Facebook-u duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit, kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar 38 000 euro.
Në kuadër të operacionit u arrestuan E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeç, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeç, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç dhe E. P., 30 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. (A2 Televizion)