Përfundon takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në Këshillin Politik

Nga A2 CNN
21 Maj 2020, 10:33 | Politikë
Përfundon takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në

Ka përfunduar takimi i presidentit Ilir Meta me krerët e opozitës që zgjati për rreth 1 orë e 15 minuta.

Në takim morën pjesë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ai i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, Dashamir Shehi nga Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar dhe Agron Duka nga Partia Agrare Ambientaliste. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim u përfaqësua nga nënkryetari Petrit Vasili.

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte arsyeja e thirrjes së këtij takimi, që vjen pasi opozita iu bashkua protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe u tërhoq nga tryeza e Reformës Zgjedhore. Edhe presidenti e dënoi këtë veprim nga ana e autoriteteve duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin.

https://youtu.be/mrxLJr2qL9A

Përmes një njoftimi për mediat, presidenti shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe vlerat europiane.

Megjithatë, ai mësohet t’i ketë kërkuar opozitës që të vazhdojë punën në tryezën e reformës zgjedhore. “Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në njoftimin e Presidencës për mediat.

Ndërsa kreu i PD-së, Basha, përmes një njoftimi për mediat, tha: “Shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët. Me çdo ditë që kalon, “Ramavirusi” i bën dhe më keq njerëzve dhe vendit. Ai është sot armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Gjatë takimit të koalicionit opozitar me presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos