
Milani i nisi përgatitjet e sezonit të ri nën kontrollin e rreptë të tifozëve. Mbështetësit kuqezi ishin mbledhur jashtë qendrës sportive në Milanelo, ku i shfaqën skuadrës mbështetjen për të cilën kanë nevojë, por i dhanë sinjale edhe drejtuesve të klubit se presin më tepër.
Miniprotesta rreth përforcimit të kontingjentit përfshinte një banderolë, ku shkruhej: “Çdo repart duhet përforcuar. Të afrojmë çdo objektiv në merkato, vazhdojmë përpara”. Në anën tjetër, skuadra u përball me entuziazmin e mbështetësve kuqezi.
Futbollistët dhe trajneri Pioli përshëndetën tifozët e shumtë, që sfiduan vapën dhe diellin jashtë qendrës stërvitore. Thirrjet dhe këngët ndikuan në krijimin e një atmosfere si në stadium. Në stërvitjen me dyer të hapura, ai që foli për tifozët ishte Davide Kalabria.
Me megafon në dorë, kapiteni i Milanit i falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe kujtoi ish-presidentin e ndjerë, Silvio Berlusconi. Tifozët u përgjigjën me duartrokitje të zjarrta dhe valëvitjen e flamujve. (A2 Televizion)