
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan bën hapa prapa lidhur me kërcënimin për të dëbuar 10 ambasadorët e huaj që kishin firmosur deklaratën për lirimin e disidentit Osman Kavala, i burgosur në 2017, edhe pse nuk ishte dënuar për ndonjë krim.
Në atë që duket të jetë një shkëmbim i orkestruar gjestesh, ambasada e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe shteteve të tjera që kishin nënshkruar letrën për Kavalën, postuan një deklaratë të shkurtër në rrjetet sociale, duke shprehur angazhimin për respektimin e normave diplomatike, që pengojnë ndërhyrjen në çështjet e brendshme të shteteve pritëse.
“Në një deklaratë të re të bërë nga të njëjtat ambasada, blasfemia kundër vendit tonë dhe sistemit të drejtësisë është tërhequr. Ambasadorët do të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre”, deklaroi presidenti turk.
Të shtunën, Erdogan kishte cilësuar si të pacipë deklaratën e ambasadorëve, duke kërkuar që ata të shpalleshin persona non grata.
Kërcënimet nxitën shqetësime për një tjetër çarje në marrëdhëniet mes Turqisë dhe partnerëve të NATO-s, çka do t’i shtohej krisjeve për blerjen e sistemit antiraketor rus nga ana e Ankarasë dhe tensioneve me Greqinë në detin Mesdhe.
Në Turqi kishte gjithashtu shqetësime se episodi do të dëmtonte më tej ekonominë, e cila ka vuajtur lëkundje të vazhdueshme si rezultat i përplasjes së Ankarasë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë. (A2 Televizion)