Përkeqësohet situata nga pandemia, rriten rastet dhe urgjencat edhe në shërbimin post-Covid

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2021, 15:14 | Aktualitet
Përkeqësohet situata nga pandemia, rriten rastet dhe urgjencat edhe

Shpërfillja e masave mbrojtëse dhe e vaksinës anti-Covid po përkeqëson situatën nga përhapja e koronavirusit në vend. Mjekët ngrenë alarmin për rritjen e infektimeve, të rasteve të rënda, por dhe humbjeve të jetës. Në dy spitalet Covid-19 po marrin trajtim 160 pacientë me ndërlikime serioze nga virusi.

Ngarkesa ndihet edhe në pavijonin post-Covid në sanatorium ku çdo ditë shtrohen me urgjencë 3-4 pacientë. “Post-Covid janë të gjithë ata pacientë që vijojnë të kenë simptoma respiratore edhe tri javë pas kalimit të formës akute të sëmundjes. Në këtë periudhë kemi ngarkesë. Çdo ditë, rritet numri i pacientëve, qoftë në konsulta, qoftë në shtrimet urgjente post-Covid”, thotë drejtoresha e sanatoriumit, Silva Bala.

https://a2news.com/2021/11/22/vaksinimi-ne-vendnumero-vetem-33-e-popullsise-ka-marre-dy-doza-te-rinjte-neglizhojne/

Ajo thotë se simptomat post-Covid i vuajnë të gjithë pacientët që e kanë kaluar rëndë sëmundjen. Edhe pse janë negativë, pasojat e koronavirusit zgjasin me javë deri muaj të tërë. “Nëse post-Covid zgjat deri 3 javë, long-Covid zgjat 3 muaj deri në një vit. Pacienti ka lodhje, kollë, dobësi muskulore dhe probleme nervore”, thotë Bala.

Ekspertja e pneumologjisë thekson rëndësinë e vaksinimit për të shmangur format e rënda të koronavirusit. “Post- Covid i rëndë, post-Covid i zgjatur në këto ditë është më tepër te pacientët e pavaksinuar. Nëse një pacient do të ishte i vaksinuar, edhe nëse do të infektohej, sëmundja nuk lë pasoja të rënda. Pneumonia është më e lehtë se te personat e pavaksinuar”.

Aktualisht, në pavijonin post-Covid në spitalin “Shefqet Ndroqi” marrin shërbim 25 pacientë me probleme komplekse që u ka lënë virusi. Kryesisht, janë moshat mbi 50 vjeç që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos