
Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të holokaustit, Gjermania nuk ngurron të mbajë mbi shpatulla njollën për krimet më mizore të historisë së njerëzimit. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përmendur përgjegjësinë historike të Gjermanisë për vrasjen e miliona hebrenjve në periudhën e nazizmit.
“Vuajtjet e 6 milionë hebrenjve të vrarë pafajësisht janë të paharruara, ashtu sikurse vuajtjet e të mbijetuarve”, ka shkruar Scholz në Twitter.
Sakaq, gjatë një seance përkujtimore në Bundestag, presidentja e parlamentit Baerbel Bas e cilësoi si një turp për vendin, rritjen e sulmeve anti-semtiike në Gjermani.
“Antisemtizmi dhe forma të tjera ksenofobie, janë në rritje. 5 krime anti-semitiste regjistrohen mesatarisht çdo ditë në gjermani. Memorialet po përdhosen, instalimet hebreje dhe sinagogat po sulmohen. Njerëzit po përballen me armiqësi dhe po kërcënohen sepse janë hebrenj. Ky është një turp për vendin”.
Ajo përmendi muralen kontroverse të realizuar nga artistë indoneziane vitin e kaluar pasi shfaqte një ushtar me fytyrën e një derri dhe helmetë ku lexohej, Mosad, në referencë të agjencisë izraelite të inteligjencës. Krijimi artistik nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare. Me rastin e ditës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit, e mbijetuara 80-vjeçare Rozette Kats tregoi para ligjvënësve gjermanë, se si në moshën 6-vjeçare kishte mësuar nga babai adoptues se si prindërit e saj të vërtetë ishin vrarë në kampin e përqendrimit të Aushvicit.
“Në moshën 6 vjeçare, babai adoptues më mori në prehër dhe më shpjegoi: Rita, emri yt i vërtetë është Rozet. Ne nuk jemi prindërit e tu biologjikë, ata u vranë në kampin e Aushvicit pasi ishin hebrenj”.
Nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të ideologjisë anti-semitike të nxitur nga Adolf Hitleri se ishin një racë inferiore. (A2 Televizion)