Përkujtohet me protesta revolta e studentëve të Athinës 1973

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2020, 16:53 | Ballkani
Përkujtohet me protesta revolta e studentëve të Athinës 1973

Policia greke, e vendosur masivisht në qendër të Athinës, ndërhyri kundër disa grupeve protestues me gaz lotësjellës dhe granata, në ditën kur tradicionalisht kujtohet revolta e studentëve të universitetit të Politeknikut të Athinës, më 17 nëntor 1973, kundër regjimit të Kolonelëve, ku ushtria ndërhyri, duke shtypur me gjak protestën.

Kjo revoltë shënoi fillimin e fundit të regjimit.

Këtë vit, protestat e zakonshme, të cilat zakonisht arrijnë përpara ambasadës amerikane, e akuzuar për mbështetjen e puçit ushtarak, janë ndaluar nga qeveria konservatore e Kyriakos Mitsotakis, për të shmangur grumbullimet në kohë të një pandemie dhe bllokimi. Një masë e zbatuar nga 15 deri në 18 nëntor që ngjalli polemika të forta nga opozita e majtë, duke përfshirë Syriza-n, partinë komuniste KKE dhe Mera25 të ish-ministrit Yannis Varoufakis.

Partitë kanë vendosur të protestojnë, duke praktikuar distancën dhe duke mbajtur maska.

Disa qindra militantë të partive KKE dhe Antarsya u takuan në qendër të Athinës në një përpjekje për të arritur në ambasadën e SHBA-së, por policia ndërhyri me forcë, duke i shpërndarë ata. Sipas Televizionit publik ERT ka pasur dhjetëra arrestime, si dhe është plagosur një deputet komunist.

Protesta të tjera si ajo e partisë më të madhe të majtë Syriza, e cila vendosi një kurorë lulesh para monumentit që përkujtonte revoltën në universitet, vazhduan pa incidente. Një grup i vogël demonstruesish nga bashkimi komunist Pame, i cili kishte ngritur një grup përpara ambasadës amerikane, u shpërnda.

Të hënën në mbrëmje, në një përpjekje për të qetësuar tensionin, kryengritja e Politeknikut u përkujtua nga Presidentja e Republikës Katerina Sakellaropoulou, dhe nga Kryeministri Mitsotakis, i cili deklaroi para monumentit, se këtë vit përkujtimi kishte një kuptim tjetër, "atë të mbrojtjes së shëndetit publik dhe bashkëqytetarëve tanë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos