
Dalja nga shtrati e lumit Erzen ka përmbytur sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore në zonën e Perlatit në njësinë administrative të Sukthit në bashkinë e Durrësit. Banorët e zonës bëjnë apel për t’i ndihmuar me ushqim për bagëtitë, pasi uji ka rrethuar stallat e tyre. Probleme ka pasur edhe në qarkullimin midis fshatrave të kësaj zone.
Sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore, prej disa ditësh, janë të mbulura nga uji në zonën e Perlatit në njësinë administrative të Sukthit në Bashkinë e Durrësit.
Përveç sipërfaqeve nën ujë me të mbjella bujqësore banorët e kësaj zone kanë filluar të kenë probleme edhe me furnizimin me ushqime për bagëtitë e tyre për shkak të izolimit prej ujit. Një bujk i zonës tregon se qindra krerë bagëti janë thuajse pa ushqim
Probleme ka edhe në qarkullimin midis fshatrave Perlat dhe Rrushkull për shkak të dëmtimit të një ure, duke detyruar banorët të ndjekin rrugë alternative më të gjatë. (A2 Televizion)