
Kampionët në fuqi në sulm të rivalëve direkt për titullin. Në prag të supersfidës së javës së dhjetë të Superiores, përballë Kukësit, te Tirana përdorin edhe aspektin psikologjik. Me bardheblutë që kërkojnë rikthimin te suksesi, pas ndalesës në Korçë, trajneri Nevil Dede hodhi dorezën e sfidës, pa u kursyer.
“Nëse fitojmë do i rikuperojmë tre pikë dhe do afrohemi më shpejt me kreun. Unë mendoj se ne jemi favoritë. Ne jemi Tirana, pavarësisht problematikave mungesa, kemi akoma lojtarë, energji brenda klubit. Edhe sikur me 18-vjeçarë të luajmë do të jemi më superiorë se ata”, u shpreh Nevil Dede, trajner i Tiranës.
Deklaratë që duket më tepër si një lojë, të cilën te Kukësi nuk dëshirojnë ta luajnë. Skënder Gega preferon që skuadra e tij të flasë në fushë.
“Asnjëherë nuk i komentoj ato që thonë kolegët apo opinionistët, ndoshta kjo është mënyra që ka për të motivuar lojtarët”, u shpreh Skënder Gega, trajner i Kukësit.
Në ndeshjet e javës së dhjetë, që hapin edhe fazën e dytë të kampionatit, Vllaznia kryesuese udhëton në Fier, Teuta luan në Korçë, Laçi pret Bylis, ndërsa Partizani ka përpara testin e vështirë me Kastriotin. (A2 Televizion)