Pas disa aksidenteve të rënda në rrugët e vendit të regjistruara në fundjavë, edhe e hanë nisi me një incident të ngjashëm. Një person humbi jetën pasi dy makina u përplasën në aksin Shkodër-Hani i Hotit, pranë rrethrrotullimit të Koplikut.
Policia tha se në aksident u përfshinë dy mjete, një Mercedes Benz dhe një Volkswagen. Si pasojë, humbi jetën drejtuesi i mjetit Volkswagen, 45-vjeçaeri Durim Lushaj, ndërsa mbetën të plagosur një pasagjer që udhëtonte me të, si dhe drejtuesi i Benz-it, një 20-vjeçar banues në Rrashkullaj, Malësi të Madhe.
Nga fotot e siguruara nga A2 CNN pas aksidentit, duket se makina tip Volkswagen është deformuar së tepërmi nga përplasja. Në vendngjarje shkuan edhe forcat zjarrfikëse, që ndihmuan në nxjerrjen e të plagosurve nga mjetet.
Vetëm të dielën u regjistruan 3 aksidente të rënda. Një 33-vjeçar ndërroi jetë pasi humbi kontrollin e mjetit në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Një tjetër viktimë u shënua pas një aksidenti në aksin Qafë Thanë-Librazhd, ku drejtuesi i një furgoni ndërroi jetë pas përplasjes me një minibus. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe katër persona.
Pasdite, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua pas një aksidenti ku ishin përfshirë 7 automjete. Fatmirësisht nuk pati viktima dhe të plagosur, por për disa orë rruga u bllokua plotësisht. (A2 Televizion)