
Rëndohet bilanci i tragjedisë nga përplasja e trenave në Larisa të Greqisë. Deri më tani janë konfirmuar 57 persona të vdekur, ndërsa autoritetet i druhen faktit se jetët e humbur mund të jenë të paktën 60.
Mediat në Greqi raportojnë se mes viktimave mund të jenë të paktën 3 shqiptarë. “Sipas burimeve, 5 shtetas shqiptarë janë shpallur të zhdukur, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur”, shkruan gazeta “To Vima”.
Megjithatë këto shifra nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht, teksa familjarët presin me ankth të mësojnë fatin e të dashurve të tyre. Ekipet e kërkim shpëtimit kanë punuar gjatë ditës për të larguar mbetjet e trenave në kërkim të mrekullive për të gjetur të mbijetuar.
Tragjedia është pasuar nga një zemëratë e madhe popullore, me protesta të shumta të organizuara në Athinë, Selanik dhe në qytetin e Larisës.
Shumë prej qytetarëve në Greqi e konsiderojnë një tragjedi të paralajmëruar atë që ndodhi, ndërsa ministri I transportit dha dorëheqjen. Shefi i stacionit po mban peshën e fajit, pasi konsiderohet tragjedi e ardhur nga një gabim njerëzor, dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia. (A2 Televizion)