Me anë të një deklarate, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se 8 efektivë kanë mbetur të lënduar pas përplasjeve me banorët e "5 Majit", mëngjesin e së martës.
Bëhet e ditur se të lënduar kanë mbetur 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake. Sipas policisë, ata kanë marrë lëndime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore.
“Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do të përballet me ligjin.
Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e të shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit”, bën të ditur policia. (A2 Televizion)