Banorët e shtëpive në rrugën "5 Maji", janë përleshur me forcat e policisë, këtë të martë në mëngjes, pasi u zgjuan me automjetet dhe punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit pranë banesave të tyre, për të vijuar operacionin e shembjes.
Disa prej banorëve, qëlluan edhe me gurë ndaj efektivëve të policisë, e cila nga ana e saj, hodhi edhe gaz lotsjellës.
Banorët e kësaj zone kundërshtojnë procesin dhe dokumentet që u janë dhënë për të firmosur. Ata kanë protestuar edhe më parë pranë godinës së Kuvendit, e madje edhe pranë Ambasadës Amerikane dhe zyrës së delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë.
Në protestën e fundit para Parlamentit, një grup protestuesish u takua edhe me Kryeministrin Edi Rama, por edhe pasi ai premtoi trajtim të njëjtë si për ata që kishin dokumente të rregullta për shtëpitë, si për ata që nuk i kishin, banorët refuzuan të firmosnin kontratën. Sipas tyre, në letër nuk ishin pasqyruar fjalët e Ramës. (A2 Televizion)