
Intensifikohet përplasja mes Twitter dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Kompania me bazë në San Francisco, e cili për herë të parë shenjoi dy postime të kreut të Shtëpisë së Bardhë me udhëzimin për të verifikuar faktet, si përgjigje mori një kërcënim për mbyllje të platformës.
“Republikanët mendojnë se platformat e rrjeteve sociale heshtin totalisht zërat e konservatorëve. Do të bëjmë një rregullator të fuqishëm, ose do t’i mbyllim, pasi nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Kemi parë çfarë tentuan të bënin dhe nuk ia dolën në 2016. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë sërish, në një mënyrë të sofistikuar”, tha presidenti Trump.
Twitter korrigjoi Trump, më saktë dy postime në të cilat paralajmëronte mbi rrezikun e manipulimit zgjedhor, pasi guvernatori i California, Gavin Newsom dhe kolegë të tjerë të tij thanë se po vlerësojnë mundësinë e votimit me postë për shkak të koronavirusit.
Rrjeti social shpjegon në linkun e tij se deklaratat e manjatit të pasurive të patundshme janë të pabaza, sipas CNN, Washington Post e mediave të tjera.
Një zëdhënës i Twitter tha se postimet e Trump mund të përmbanin informacione false mbi procesin e votimit, dhe kjo i shtyu të sinjalizonin përdoruesit. Megjithatë ky pretendim është kundërshtuar nga presidenti amerikan, i cili po në Twitter, platformën sociale më të përdorur nga ai, akuzoi kompaninë në fjalë për shkelje të fjalës së lirë. (A2 Televizion)