Protesta e thirrur nga Sali Berisha dhe komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike nisi pak para orës 12 me protestuesit që arritën të hapnin derën kryesore të selisë dheu futen në ambientet e brendshme të PD.
Pavarësisht hapjes së portës kryesore, ngjitja në katin e dytë të selisë ishte e pamundur për shkak të dyerve të blinduar, çka i detyroi të provonin ngjitjen nga dritaret. Një lëvizje që nxiti reagimin e personave brenda selisë së PD që u përgjigjën me gaz dhe gurë.
Kjo solli acarimin e mëtejshëm të situatës me protestuesit që thyen dyert dhe Dritaret e selisë, madje arritën e thyenin edhe derën anësorë të hekurit që shërbente edhe si porta hyrëse për në ambientet e brendshme të godinës. Ky përshkallëzim i situatës bëri që nga brenda, partia demokratike të kërkonte ndërhyrjen e policisë për të shpërndarë turmën me arsyetimin se po rrezikonte jetën e drejtuesve më të lartë të partisë.
Ndërhyrja e Policisë me gaz lotsjellës solli edhe shpërndarjen e turmës dhe krijimin e një perimetri sigurie brenda selisë së PD, ndërsa ai që lajmëroi përfundimin e protestës ishte vetë Sali Berisha që paralajmëroi të tjera tubime para selisë së PD. (A2 Televizion)