
Një oficer policie humbi jetën dhe 79 të tjerë janë marrë peng gjatë protestave të fundit në provincën jugore të Caquetá në Kolumbi.
Dhuna shpërtheu të enjten pasi banorët e rajonit bllokuan kompleksin e kompanisë së kërkimit të naftës Emerald Energy, të cilës i kërkojnë riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro reagoi menjëherë për ngjarjen dhe tha se shpresonte se personat që ishin rrëmbyer do të liroheshin menjëherë përpara çdo përshkallëzimi të dhunës. Ai gjithashtu kërkoi ndihmën e Kryqit të Kuq për të ndërmjetësuar.
Shumë nga protestuesit janë banorë ruralë dhe indigjenë që duan nga kompania Emerald Energy të ndërtojë infrastrukturë të re rrugore rreth zonës San Vicente del Caguan, ashtu si ishte parashikuar në kontratë përpara se të nisnin kërkimet për naftë. (A2 Televizion)