
Kundërpërgjigjja ndaj pandemisë që Rusia dëshiron që ne të shohim, është një spital i madh provizor i ngritur për të përballuar shtrimet gjithnjë e në rritje.
“Po hymë në zonën e kuqe. Ishte një stadium për ‘Ice skating’ i quajtur ‘Pallati i Akullt’. Por pamja që ofron vendi për spektatorët tani është: qindra shtretër dhe një staf mjekësh të mbrojtur mirë që shfaqen në kontroll të krizës Covid-19", shprehet reporteri i CNN.
"Kemi të gjitha pajisjet e nevojshme për diagnozë, përfshirë ventilatorë. Qeveria Ruse po merr masa serioze anti-covid, jo vetëm në Moskë, por edhe më gjerë.”
Por ekziston edhe një tjetër anë e luftës së Rusisë me pandeminë, të cilën autoritetet preferojnë që mediat ta injorojnë, me prova shokuese të mbingarkesës së sistemit shëndetësor. Në rrjete sociale, ka skena trishtuese: disa mjekë përpiqen me çdo kusht që të pranohet në spital një paciente 90-vjeçare.
“Nuk do ta çoj në shtëpi që të vdesë. Pse duhet t’iu lutemi që ta shtroni pacienten”, thonë mjekët e dëshpëruar.
Autoritetet ruse pranojnë se spitalet e disa rajoneve kanë arritur në 95% të kapacitetit të tyre. Por ka prova të rritjes edhe të bilancit të viktimave. Në një video të regjistruar muajin e kaluar dhe dërguar gazetarit të CNN, një paciente e vdekur qëndron në shtrat dhe askush nuk merret me të, teksa pacientë të tjerë marrin frymë vetëm pak centimetra larg viktimës.
Ka dhe skena të tjera shumë të tmerrshme që nuk mund të transmetohen, në të cilat shfaqen viktimat e Covid-19 të lëna në dyshemenë e morgut. Ka dyshime të mëdha që Rusia po fsheh bilancin e vërtetë të pandemisë, duke mos raportuar viktimat që kishin sëmundje të tjera apo ata që konfirmoheshin pozitivë pas humbjes së jetës.
Ekspertët mendojnë se bilanci nuk është 33 mijë viktima, siç pretendohet zyrtarisht, por vlerësohet të jetë 130 mijë. Autoritetet nuk kanë komentuar këto dyshime, ndërsa është e dukshme që kjo pandemi vetëm po përkeqësohet në Rusi. (A2 Televizion)