
Duket si një skenë nga filmi “Jaws” dhe për Scot Haraguchi ishte një përvojë aq e frikshme, saqë mendon që, nëse nuk do ta kishte filmuar të gjithën, njerëzit nuk do ta kishin besuar.
“Fatkeqësisht, e takova, por fatmirësisht arrita ta kapja në kamera”, tha ai për CNN.
Scot kishte dalë për peshkim me kajakun e tij, rreth 1,5 kilometra larg bregut në Kualoa, Havai. Ai kishte ndezur kamerën e tij sepse sapo kishte kapur një peshk dhe kishte harruar ta fikte kur ndodhi incidenti.
“Dëgjova një zhurmë që tingëllonte si një varkë pa motor që po vinte drejt meje. Kur ngrita sytë pashë një gjë të madhe bojëkafe dhe mendova se ishte një breshkë. Por më pas u përplasa me të dhe kuptova se ishte një peshkaqen tigër”, tregoi ai.
Haraguchi arriti ta largonte me shkelm peshkaqenin dhe madje vijoi të peshkonte. Vetëm pasi pa në video atë që ndodhi, kuptoi sa me fat ishte. Ai nuk e di pse ndodhu sulmi, por thotë që aty pranë pa edhe një fokë të lënduar.
“Mendoj që peshkaqeni plagosi fokën, e la të ngordhte ose po priste që të ngordhte, u kthye dhe kujtoi se isha unë foka dhe më sulmoi mua”, tha ai.
Në kajak shenja e peshkaqenit është e vogël dhe Scot nuk pësoi lëndime. Vetëm është i lumtur që shpëtoi dhe mund ta tregojë këtë histori. “Kuptova që jeta është e shkurtër, koha është e shkurtër në Tokë, kështu që shfrytëzojeni në maksimum, silluni mirë me njerëzit, etj.”. (A2 Televizion)