Pezullimi i Parlamentit, Gjykata e Lartë rrëzon padinë kundër Johnson

Nga A2 CNN
6 Shtator 2019, 14:04 | Bota
Pezullimi i Parlamentit, Gjykata e Lartë rrëzon padinë

Gjykata e Lartë në Londër rrëzoi sfidën ligjore kundër vendimit të kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin.

Padia u u ngrit nga biznesmenja Xhina Miller, e cila e konsideron masën si një shkelje dhe abuzim me pushtetin. Gruaja e cila do të apelojë vendimin në 17 shtator u shpreh thellësisht e zhgënjyer: “Ne e shohim si thelbësisht jetësore që Parlamenti të jetë në detyrë. Na vjen mirë që gjykatësit na dhanë të drejtën e apelimit, diçka që kemi ndërmend ta bëjmë”.

Kryeministri njoftoi në 28 gusht se do të pezullonte punimet e Parlamentit për 5 javë, duke nisur nga java e ardhshme deri në 14 tetor. Kundërshtarët e tij politik thanë se qëllimi i Johnson ishte të pengonte miratimin e një projektligji që do të shmangte Brexit-in pa ujdi në 31tetor. Por, qeveria këmbëngul se pezullimi i Parlamentit do t’i jepte kohë Johnsonit të përvijonte planet e reja legjislative, duke lejuar në të njëjtën kohë Parlamentin të debatojë për Brexit-in.

Dhe në fakt, Dhoma e Komunëve po përpiqet të shfrytëzojë në maksimum kohën në dispozicion. Disa orë pas rikthimit në punë pas pushimeve të verës, ligjvënësit miratuan një projektligj që synon të parandalojë Brexit-in pa ujdi dhe i thanë jo propozimit të kryeministrit për zgjedhje të parakohshme.

Në një fjalim me tone të forta, Johnson tha mbrëmjen e së enjtes se nuk ishte pro zgjedhjeve, por se do të preferonte më mirë të vdiste në një kanal se sa të shtynte Brexit-in.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos