
Ndonëse reshjet kanë disa orë që kanë pushuar, situata e përmbytjeve në zonat problematike vazhdon të mbetet e pandryshuar, madje me rritje të nivelit të ujit.
Në Katund të Ri në Durrës, këtë mëngjes niveli i ujit në oborret e banesave dhe tokat bujqësore ka qenë më i lartë, krahasuar me një ditë më parë kur ishin prezente reshjet.
Banorët e zonës shprehen se kjo situatë nuk u shkaktua nga reshjet, por nga shkarkimet e hidrocentraleve që ndodhen përgjatë lumit Erzen në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, rritje të nivelit të ujit në zonat e përmbytura ka pasur edhe në Shkodër. Zona e Nënshkodrës vazhdon të ketë nivel të lartë të ujit, ndërsa sipërfaqja e tokave të përmbytura ka shkuar në 3500 ha.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka kërkuar shpalljen e emergjencës lokale, në mënyrë që t'i hapet rrugë dëmshpërblimit të banorëve për dëmet që i janë shkaktuar nga përmbytjet tashmë disajavore. (A2 Televizion)