Piratët sulmojnë anijen turke, marrin peng ekuipazhin

Nga A2 CNN
24 Janar 2021, 23:30 | Bota

Edhe pse duken një histori e të kaluarës, piratët ekzistojnë edhe sot, dhe janë po aq të rrezikshëm. Autoritetet turke kanë pohuar se një anije me pronësi turke është marrë peng nga disa piratë në afërsi të ishullit Sao Tome, në Afrikën perëndimore.

Anija tregtare ishte nisur nga Nigeria dhe po i drejtohej  Afrikës  së Jugut, kur u rrethua nga mjete me piratë të armatosur. Sipas tregimeve me radio të ekuipazhit, rreth 15 persona,  ata kanë rezistuar me orë dhe më pas janë dorëzuar piratëve, që në konflikt e sipër kanë vrarë një pjesëtar të ekuipazhit, një inxhinier nga Azerbajzhani.

Vendi i sulmit, në gjirin e Guinesë, midis Kamerunit, Nigerisë Guinesë dhe Togos, cilësohet si vendi më i rrezikshëm në botë për sulme nga piratë.

Autoritetet turke janë angazhuar që nga fillimi i ngjarjes, me presidentin Erdogan që ka folur personalisht me disa nga pjesëtarët e ekuipazhit. “ Shpresojmë t’i shohim të lirë, po përpiqemi, duhet të lutemi për ta”, ishin fjalët e tij.

Anija po i drejtohet ndërkohë drejt Gabonit, por piratët nuk i përgjigjen kërkesave të autoriteteve të përfshira.

Në qershorin e vitit 2019, një tjetër anije turke u rrëmbye në ujërat nigeriane, dhe 10 marinarët u lëshuan vetëm një muaj më vonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos