Pjepër dhe shalqi me tepri nitrati? Profesor Kristaq Sini zbulon se ku qëndron me të vërtetë problemi

Nga A2 CNN
1 Gusht 2019, 20:35 | Aktualitet
Pjepër dhe shalqi me tepri nitrati? Profesor Kristaq Sini zbulon se ku

Profesor Kristaq Sini, agronom dhe specialist i sigurisë ushqimore, zbuloi në emisionin “I Ftuari” me Endri Xhafon se ku qëndron me të vërtetë problemi me pjeprin dhe shalqirin. Dhe, sipas tij, nuk është nitrati.

“Nitrati është një nga plehrat bazë që hidhet te bimët. Është normale që të hidhen plehra minerale te bimët. Nëse përdoret në sasi shumë të madhe, bima ka probleme që të lidhë kokrrën e frutit. Pra, fermeri e di që po i hodhi më shumë seç duhet, nuk do të ketë produkt fare në fund. Nuk mendoj se ka nitrat me shumicë në shalqi dhe pjepër, pasi do të kishte probleme me lidhjen e frutit. Për mua, problemi më i madh janë pesticidet”, shpjegoi profesor Sini.

“Dikur ka pasur regjistra mbi shërbimet që i bëheshin bimës, ndërsa sot nuk ka. Shërbimi agronomik është shkatërruar pas vitit ’90. Sot ka shumë aparate me të cilat njerëzit masin nivelin e nitratit, por nuk mund të jenë të sakta sepse janë për përdorim të momentit”, shtoi Kristaq Sini.

Kur u pyet se si duhet të kuptojnë njerëzit se çfarë duhet të konsumojnë, profesor Sini u përgjigj: “Shalqi dhe pjepër konsumojini kur kanë kohën, që do të thotë në këtë periudhë dhe gusht. Jo në maj, kur janë qershitë”.

Në lidhje me punën e AKU-së , Sini deklaroi: “Nuk mundet që AKU-ja të jetë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, e cila prodhon dhe AKU kontrollon prodhimin e vetë institucionit. AKU-ja në vendet e zhvilluara është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos