PL: Vendimi i Prokurorisë për mosnisjen e hetimeve ndaj Autoritetit të Dosjeve, është nul

Nga A2 CNN
14 Tetor 2022, 10:37 | Politikë
PL: Vendimi i Prokurorisë për mosnisjen e hetimeve ndaj Autoritetit

Vendimi i Prokurorisë për të mos filluar hetimin për çështjen penale për kallëzimin e Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve, është nul. Kështu e ka konsideruar Petriti Vasili mosnisjen e hetimeve nga organi i akuzës, në krah edhe të avokatit Genc Gjokutaj. Sipas Vasilit, vendimi i Prokurorisë shkel në mënyrë flagrante në ligjin, si në procedurë ashtu edhe në përmbajtje.

“Veprimet e prokurorisë kanë qenë skandaloze dhe të paimagjinueshme. Prokuroria ka arritur deri aty sa nuk ka dëgjuar fare palën akuzuese, por ka dëgjuar vetëm palën e akuzuar anëtarët e autoritetit të dosjeve dhe vetëm ka mbështetur në dëshmitë e tyre, duke vendosur mosfillimin.

Prokuroria duke mos regjistruar procedimin penal as nuk ka marrë dokumentet, të cilat provonin shumë qartë shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.

Është fakt publik, që vetë drejtuesja e Autoritetit zonja Genta Sula ka pohuar publikisht me gojën e saj, se dy anëtarët e Autoritetit kanë bërë verifikime, ndërkohë po vetë drejtuesja e Autoritetit në dëshminë e saj në prokurori ka dëshmuar të kundërtën duke thënë se nuk është kryer ndonjë verifikim dhe hetim për zotin Meta.

Pra dëshmi të qarta shumë kontradiktore, që kërkonin detyrimisht hetim të thelluar nga prokuroria, e cila nuk e ka kryer këtë.

Është një shkelje shumë e rëndë penale fakti i provuar totalisht që pa bërë hetim dhe verifikim për identitetin e z.Meta, Autoriteti i Dosjeve ka dërguar informacion zyrtar duke përcaktuar emrin e z.Ilir Meta të lidhur me dosjet e sigurimit, pa pasur asnjë lloj dokumenti, që provonte gjeneralitetet e z. Meta.

Është fakt i provuar botërisht, që megjithëse ligji nuk e lejonte është bërë verifikim lidhur me z.Ilir Meta dhe konkluzionet i janë përcjellë nga Autoriteti i Dosjeve, me informacion shkresor, Kuvendit të Shqipërisë me shkresën me Nr.1275/1 në datën 26 korrik 2022.

Është fakt, që edhe sot e kësaj dite, në shkelje e dhunim flagrant të ligjit, përfaqësuesit ligjor të z. Meta, avokatit Genc Gjokutaj nuk i janë vënë në dispozicion dokumentet nga Autoriteti i Dosjeve megjithëse i është kërkuar me shkresë zyrtare që në datë 14 shtator 2022 dhe me shkresë rikujtesë më 25 shtator 2022 dhe po ashtu nuk i janë dhënë dokumentet as nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilit i është drejtuar me kërkesë zyrtare, që në datë 25 shtator 2022. Është shumë e qartë, që ky vendim i Prokurorisë është nul pasi nuk ka respektuar asnjë nga detyrimet më themelore të ligjit si në procedurë dhe në përmbajtje”, tha Vasili.

Edhe avokati i kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, Genc Gjokutaj, për kallëzimin e bërë ndaj Autoritetit të Dosjeve ka akuzuar prokurorin e çështjes që nuk regjistroi procedim penal lidhur me padinë e depozituar dhe nuk ka thirrur të pyesë kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në procedurën paraprake verifikuese.

“Për kallëzimin penal nga prokuroria nuk është kryer asnjë veprim hetimor se i ka hequr mundësinë vetes për të regjistruar procedimin penal, është mjaftuar me pyetjen e anëtarëve të bordit të Autoritetit që janë të kallëzuar. Në këtë mënyrë nga pikëpamja ligjore në konkludimin nëse ka vepër penale s’mund të pyesë ata që janë të kallëzuar. Meta nuk është pyetur e thirrur fare për të dhënë shpjegime. Prokurori e ka paragjykuar çështjen, që i është urdhëruar për të bërë këtë veprim e unë e them pa frikë. Moskryerja e këtij veprimi është në rastin kur regjistrohet procedimi penal. Thirrja e pyetja ishte domosdoshmëri për të shpjeguar arsyet e kallëzimit, të dhënave i qëndronte apo jo, çfarë dokumentesh ka në dispozicion, janë thelbësore për një proces se në fazën verifikuese duhet të dëgjohen palët”, tha Gjokutaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos