
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh krenare për vlerësimin që ka marrë Shqipëria për punën e saj në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Duke komentuar progres-raportin e Komisionit Europian për vendin tonë, Xhaçka tha se në të njihet puna e madhe që është bërë.
“Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të marsit 2020. Raporti vlerëson se Qeveria nuk e humbi fokusin në agjendën e BE-së, pavarësisht sfidave të ndryshme. Në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje. Ecuria e mirë bazohet në “Përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të BE-së nga Shqipëria”. Jam krenare për vlerësimin e lartë që ka marrë në Raport puna e Shqipërisë në KS të OKB-së”, tha Xhaçka. (A2 Televizion)