Plagosen me armë zjarri shefi i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe dhe i ati

Nga A2 CNN
11 Tetor 2020, 13:14 | Kronikë

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar, mesditën e së dielës, në zonën e Malësisë së Madhe, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.

Sipas të dhënave paraprake ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur Stacioni i Pompave në Dobraç, ku për pasojë ka mbetur i plagosur shefi i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj dhe i ati i tij, Xhelali.

Babë e bir kanë qenë duke udhëtuar me makinën e Policisë Bashkiake kur janë qëlluar me breshëri automatiku nga një person me motor, i cili më pas u largua me shpejtësi.

Mësohet se shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasani është transportuar drejt spitalit të Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë.

Dinamika e kësaj ngjarje është ende e paqartë ndërkohë që forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për kapjen e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos