
Një person është plagosur me armë zjarri pak pas mesditës së të premtes në zonën e njohur si “Varri i Bamit” në Tiranë.
Policia bën të ditur se pas një konflikti të çastit, një person ka plagosur me armë gjahu shtetasin G. N., rreth 35 vjeç.
Mësohet se 35-vjeçari është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes, i cili është shtetasi D. K., 30 vjeç, i cili është larguar nga vendngjarja.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur Varri i Bamit, një shtetas ka plagosur me armë gjahu shtetasin G. N., rreth 35 vjeç, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë identifikimi i autorit të ngjarjes, shtetasit D. K., 30 vjeç, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, rreth orës 13:30, ka plagosur me armë gjahu shtetasin G. N.
Shtetasi G. N., ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia. (A2 Televizion)