
Zyrtarisht bëhet me dije se janë 15 urdhërarreste të firmosura nga GJKKO ndaj personave të dyshuar për një mori veprash penale, jo vetëm të eksponent të botës krimit, por edhe prokurorë dhe funksionarë të lartë Policisë së Shtetit. Ky hetim ka nisur në janar të 2023, falë ndihmës së dhënë nga ndërkombëtarët, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze.
Kush janë të arrestuarit?
Në total janë ekzekutuar 6 urdhërarreste, për biznesmenin Pëllumb Gjoka, Oltion Bistrin, ish shefi i Operacionale, drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, për Edmond Prekën, Ardit Hasanpapajn, Astmer Bilalin, pjesë e grupit të Bajrave. Në kuadër të këtij operacioni, janë kontrolluar 26 banesa dhe ambjente ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (servere dhe kamera) me të cilat monitoreshin ambjente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Zbardhen 4 ngjarje kriminale të rënda në vend
Nga hetimet e kryera janë zbardhur disa ngjarje kriminale të ndodhura në vend, siç ishte tentativa e vrasjes së Gjin Borici Ndoj, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.
Gjithashtu, është zbardhur tentativa për vrasjen e Taulant Pepës, po në Shkodër në shkurt 2021.
Nga ana tjetër, është konfirmuar se pjesëtar të këtij grupi kanë siguruar mjetet për vrasjen e Kleant Musabelliu në Tiranë gjatë vitit 2020, si edhe për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorjan Dolit, Gentian Tafilajt dhe I.Doli vëllai i Dorjanit), ndodhur gjatë vitit 2020.
Komunikimet mes vrasësve
Nëpërmjet “Sky” dhe “Encro” ka rezultuar që pjesëtar të këtij grupi kriminal merrnin porosi për vrasje, thurin plane për ekzekutime, por edhe i raportojnë në kohë reale për finalizimin e këtyre krimeve. “U kry”, ishte një nga mesazhet që është zbardhur, i cili ishte tregues se plani kishte shkuar me sukses.
Mirëpo, nga ana tjetër, është zbardhur edhe rasti i një bisede mes një biznesmenit Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, ku kërkohet eliminimi i Gjin Ndojit. Gjoka kërkonte me çdo kusht eliminimin e Ndojit, prandaj i kishte vënë në dispozicion Bajrit që të kërkonte sa para të dëshironte, shuma këto që shkonin 100-110 mijë euro.
Në “biznesnin” e vrasjeve nuk funksiononin vetëm pagesa me para cash. Nga zbardhja e mesazhe u konstatua edhe një bashkëpunim mes grupit të Bajrave dhe Ervis Martinajt. Behar Bajri ka kërkuar vrasjen e një personi në Tiranë dhe këtë e ka marrë përsipër Ervis Martinaj. Mirëpo, në këmbim Bajri do të kryente një vrasje për llogari të Martinaj.
Roli i prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të policisë
Mësohet se pjesë e këtij grupi kriminal, ishte edhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita i cili ushtronte ndikimin e tij në mbylljen e dosjeve apo ndikim në procese të ndryshme gjyqësore që ishin hapur për anëtar të këtij grupi. Ndërsa, zyrtarët e policisë, Ardit Hasanpapaj dhe apo ish shefi i Operacionale, Oltion Bistri jepnin informacione këtij grupi kriminal për lëvizjet e policisë.
Akuzat ndaj këtij grupi kriminal
Në total, mbi këtë grup rëndojnë akuzat 12 vepra penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Fallsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. (A2 Televizion)