Plani ekonomik i qeverisë për të përballuar koronavirusin, Tabaku: Mungesë transparence

Nga A2 CNN
27 Mars 2020, 11:29 | Politikë
Plani ekonomik i qeverisë për të përballuar koronavirusin,

Partia Demokratike reagoi përmes ish-deputetes Jorida Tabaku për planin ekonomik të qeverisë për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi në vend.

Sipas ish-deputetes demokrate këtij plani i mungon tranparenca për ndihmën sociale dhe ndaj biznesit, si dhe nuk ka përgjigje se çfarë do të bëhet me 35 mijë biznese dhe 70 mijë të papunë të përjashtuar nga skema.

“17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?!

Pse nuk bëhet e ditur lista e plotë e përfituesve nga kjo pagesë, që qytetarët të kenë mundësi të shohin nëse janë apo jo përfitues? Kush janë bizneset e vogla që përfitojnë? Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie? Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike?

Dua ta përsëris me forcë. Paketa sociale e miratuar nga Qeveria është e pamjaftueshme. Mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë prej saj”, deklaroi Tabaku.

Më tej, Tabaku shtoi se ndihma është detyrim ligjor i qeverisë dhe i kërkoi asaj të ndalojë çdo shpenzim tjetër të panevojshëm.

“Shteti ka detyrimin që në këtë moment të vështirë të jetë pranë të pamundurve, t’u sigurojë atyre minimumin për të jetuar dhe për t’u ushqyer. Qeveria duhet të veprojë pa asnjë vonesë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në pamundësi për të ushqyer fëmijët. Ky është detyrim i saj ligjor dhe jo çështje e dëshirave apo vullnetit të Edi Ramës. Paratë e taksapaguesve duhen vënë menjëherë në shërbim të qytetarëve dhe duhet anuluar çdo transaksion tjetër deri në kalimin e kësaj situate”, përfundoi ish deputetja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos