Plehrat e Durrësit, Qeveria aprovon kërkesën dhe financon trajtimin e mbetjeve

Nga A2 CNN
2 Gusht 2021, 13:54 | Politikë
Plehrat e Durrësit, Qeveria aprovon kërkesën dhe financon

Qeveria ka vendosur të financojë kërkesën e Bashkisë Durrës për trajtimin e mbetjeve. Në vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit, u vendosën në dispozicion paratë për trajtimin e plehrave nga muaji gusht deri në dhjetor.

Në pikun e sezonit turistik, gjendet zgjidhja për plehrat e Durrësit. Këshilli i Ministrave ka dhënë dritën jeshile kërkesës së Bashkisë Durrës për mbështetje financiare për trajtimin e mbetjeve, një problematikë që nisi që në fillim të muajit qershor dhe kërkoi dy muaj kohë për të gjetur zgjidhje.

“Mbështetja financiare e qeverisjes qendrore për Bashkinë Durrës do të bëhet nëpërmjet transfertave specifike vjetore, duke filluar me mbulimin e nevojës financiare për periudhën gusht – dhjetor 2021”.

Durrësi prodhon rreth 200 tonë mbetje në ditë dhe prej disa muajsh, ky qytet nuk ka më një vend depozitimi të mbetjeve pasi fusha në Porto Romano u mbyll për të ndërtuar një park.

Si zgjidhje u gjet transferimi i mbetjeve nga Durrësi drejt Sharrës, por për bashkinë bregdetare duket se kishte një kosto të papërballueshme.

Tashmë më ketë vendim, bashkia duhet të negociojë çdo vit me qeverinë shumën e parave që i duhen në mënyrë që pamje të tilla të mos përsëriten më.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos