
70 vite më parë, baballarët themelues të atij që sot njihet si Bashkimi Europian do të prezantonin vizionin e tyre të një Europe të bashkuar ekonomikisht dhe politikisht, mbi bazën e katër lirive themelore: të lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve.
70 vite më pas, nën diellin e nxehtë të Shkupit, liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të tentonin të bënin të njëjtën gjë, në ngritjen e një varianti ballkanik të Europës, që deri në atë moment njihej me emrin e papëlqyer mini-shengenit, apo me atë të pagëzuar nga kritikët, Jugosllavi e re.
Pas “selfie”-ve e takimeve me qytetarët dhe shkëmbimit të dhuratave për mysafirët, ishte radha e Forumit Ekonomik, për të prezantuar projektin përpara komunitetit të biznesit. Por, ndryshe nga sipërmarrja që ishte mbledhur nga i gjithë rajoni, në takim munguan liderët e gjysmës së Ballkanit Perëndimor, që nuk e mbështesin këtë nismë.
Për Prishtinën zyrtare, qëndrimi kundër asaj që e cilëson iniciativa e Novi Sadit është e palëkundur e madje për kryeministrin Albin Kurti është e dëmshme dhe pa vizion: “Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Përgjigjja ndaj Kurtit dhe kritikëve ishte e qartë dhe e prerë dhe erdhi nga kryeministri i vetëm që fliste shqip në forum, Edi Rama: “Nëse del dikush e tregon me fakte se ku është e keqja në këtë nismë, atëherë unë kërkoj falje. Por, këtu nuk ka asnjë të keqe dhe asnjë konspiracion. Kjo është një nismë për të ardhmen”.
Ndërsa Zaev shtriu edhe njëherë ftesën për të gjitha vendet që duan t’i bashkëngjiten kësaj nisme, që nuk është eksluzive e tre vendeve.
Për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ky është një moment historik, prandaj vendet duhet të shohin përpara nga e ardhmja, duke lënë pas mëritë e së kaluarës.
Besimi në një rajon që vetëm besimi ka munguar, është, sipas Vuçiçit, elementi i fortë në themelet e kësaj nisme, por ku sërish rëndon mbi të çështja e Kosovës.
E si për të nisur me këmbën e mbarë Open Balkan, tre vendet firmosën disa marrëveshje, duke nisur nga bashkëpunimi në rastet e katastrofave natyrore, për të mbështetur njëra-tjetrën me trajnime të përbashkëta, shkëmbim eksperiencash, materialesh e pajisjesh. Për të vijuar me tregun e punës, ku synohet të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës, si dhe marrëveshja për lehtësimin e tregtisë midis vendeve, duke eliminuar të gjitha barrierat në kufij.
Këto nisma synojnë të bëhen të prekshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, që prej 1 Janarit 2023.
Komuniteti i biznesit e sheh këtë nismë nga këndvështrimi i përfituesit kryesor dhe nuk i druhet rritjes së konkurrencës nga kompanitë e tjera të rajonit.
Nga prezantimi i emrit dhe vizionit tek realizimi i një Ballkani të hapur e të bashkuar, është një proces që do të kërkojë kohë, do të hasë rezistencë e do të kalojë nëpër shumë vështirësi. Në fund, as Roma e as Europa, nuk u ngrit brenda një dite. (A2 Televizion)