“Po shkon 100 vjeç dhe nuk i la këto gjëra”, kampioni i F1 sulmon Presidentin e Italisë

Nga A2 CNN
14 Shtator 2022, 10:36 | Sporte të tjera

Sebastian Vettel, 4 herë kampion i Formula 1, ka sulmuar ashpër Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella. Arsyeja? Festa që u organizua para Çmimit të Madh të Italisë, të zhvilluar ditën e diel.

Spektakli që ofruan avionët “Frecce Tricolori” nuk i pëlqeu aspak pilotit gjerman të Aston Martin, për shkak të ndotjes së mjedisit që sjellin këto mjete ajrore.

“Dëgjova se vetë Presidenti i Italisë ka këmbëngulur që të bëhej spektakli me avionë. Po shkon 100 vjeç (Mattarella është 81 vjeç) dhe prandaj e ka të vështirë që të heqë dorë nga këto gjëra. Na kishin premtuar se nuk do të kishte avionë, por Presidenti ndryshoi mendim dhe Formula 1 iu dorëzua dëshirës së tij”, tha Vettel.

F1 i ka vendosur qëllim vetes që të reduktojë në 0 emetimet e karbonit deri në vitin 2030, gjë që bie në kundërshtim me spektaklet me avionë përpara garave.

“Nëse ke një objektiv të qartë, duhet t’i qëndrosh atij dhe të mbash fjalën”, shtoi Vettel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos