Poetja që mahniti gjatë inaugurimit të Biden, tashmë edhe modele

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 17:45 | Showbiz
Poetja që mahniti gjatë inaugurimit të Biden, tashmë edhe

Një nga momentet më domethënëse të ceremonisë që kulmoi me betimin e demokratit Joe Biden si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte poezia e shkruar dhe e recituar e një poete të re 22-vjeçare, deri në atë moment aspak të njohur nga publiku i gjerë, përtej disa revistave letrare.

Bëhet fjalë për Amanda Gorman, jeta  e së cilës pas atij recitimi me shumë gjasa do të ndryshojë përgjithmonë.

Poezia e saj "The Hill We Climb" ( Kodra që po ngjisim), e gjitha  e përqendruar në bashkimin kombëtar dhe procesin e rimarrjes së dinjitet social të shtresave të ndryshme të shoqërisë amerikane, ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në opinionin publik, saqë për shumë ai përfaqëson një udhëzues letrar i platformës politike progresiste që përcillet nga administrata Biden.

https://www.instagram.com/p/CKfVKnAFYkO/

Përtej fjalëve, portreti i saj rinor dhe plot siguri, por edhe e veshura elegante, aspak klishe dhe e mirëqenë për një intelektuale të re, kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe showbizit.

Dje një nga agjencitë modës më të njohura në botë, IMG Models, që ndër të tjera përfaqësohet nga emra si motrat Hadid dhe Gisele Bunchen, ka shpallur se Gorman ka firmosur një kontratë me to, dhe ky duket vetëm hapi i parë i saj në këtë botë më parë të panjohur.

Para recitimit përballë Biden, Gorman në Instagram kishte rreth 48 mijë ndjekës,  një javë më vonë ata kanë kaluar shifrën e 3 milionëve, e lakmuar edhe nga yje të Hollivudit.

Sot pritet debutimi i saj në televizion në një nga spektaklet më të ndjekura në SHBA, ai i Ellen Degeneres.  Një ngjitje vertikale, por ndoshta jo  e papritur, duke marrë një nga vargjet e poezisë së saj, që thotë “nuk do të marshojmë së bashku drejt asaj që ishim, por do të shkojmë aty ku duhet të jemi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos