






Kongresmenia republikane, Marjorie Taylor Greene, përfaqësuese e shtetit të Xhorxhias, krahasoi derrat e egër me kundërshtarët e saj politikë nga Partia Demokratike. Derrat e egër konsiderohen si një problem serioz për një pjesë të mirë të fermave të jugut të Shteteve të Bashkuara, pasi mbipopullimi i tyre po bën që të shkatërrojnë fermat. Për Greene, edhe demokratët po i pengojnë fermerët që të “çojnë bukë në shtëpi”.
Ajo që u kritikua më tepër ishte një videomesazh i kongresmenes, duke gjuajtur për derra të egër nga helikopteri, me një pushkë të kalibrit të madh.
Në video ajo u ofron amerikanëve mundësinë për të fluturuar mbi ara me helikopter, për të vrarë derrat e egër në fushat e Teksasit, ku problemi është edhe më i dukshëm. “Inflacioni në qiell, çmimi i karburantit është rritur, dhe demokratët e kanë lënë Amerikën të fundit”, thotë Greene. “Por nuk janë vetëm demokratët që po shkatërrojnë fermat tona, kemi edhe derrat e egër. Kështu që vendosëm të dalim për gjah”.
Mbështetja e pakufizuar e Greene për të ruajtur amendamentin kushtetues që u lejon amerikanëve mbajtjen e armëve, e ka vendosur shpesh kongresmenen në qendër të debateve, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike me aktivistë kundër përdorimit të armëve. (A2 Televizion)