Policia e Kosovës aksion kundër strukturave ilegale serbe, sekuestrohen kamera sigurie në Shtërpcë

Nga A2 CNN
7 Korrik 2022, 15:15 | Kosova
Policia e Kosovës aksion kundër strukturave ilegale serbe,

Policia e Kosovës ka kryer një operacion në komunën e Shtërpcës kundër strukturave ilegale serbe. Prokurori, Rasim Maloku, njoftoi se me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, në këtë aksion janë sekuestruar kamera sigurie, pajisje, materiale dhe dokumente.

"Këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, deklaroi ai.

Operacioni policor u zhvillua në katër vendndodhje të ndryshme, përfshirë në godinën e komunës së strukturave ilegale serbe.

Maloku sqaroi se ky rast nuk është i ndërlidhur me çështjen “Brezovica” që ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.

E vetmja lidhje mes rasteve, sipas prokurorit, është ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic, i cili ka qenë dhe koordinator i strukturave ilegale serbe në këtë zonë. Ndërkohë, gjatë operacionit të policisë nuk u shënuan incidente. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos