
Presidenti Bajram Begaj tha se tensionet e fundit në Kosovë nuk do të frenojnë nismat rajonale si Procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur, pasi përfitimi ndaj tyre është real.
“Tensionimi i situatës ka ardhur si nevojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale”, tha Begaj.
“Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm. Kam pasur komunikim me autoritetet më të larta të Kosovës, po ashtu me komandantin e KFOR-it dhe me disa presidentë të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vendosur theksin në domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel. Duhet të fokusohemi te prioritetet dhe jo te gjërat sekondare”.
“Ballkani i Hapur është konceptuar si iniciativë vetëm ekonomike që do të sillte lehtësime dhe heqje burokracisë. i qëndroj mendimit tim që, nëse është iniciativë vetëm ekonomike, për mua është e mirëseardhur. Çdo iniciativë rajonale është e lidhur me objektivin tonë strategjik, integrimi në BE. Nëse ne nuk bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, si mund të kërkojmë të bashkëpunojmë me Bashkimin Europian”, shtoi presidenti. (A2 Televizion)