Vijon përçarja në PD, Bardhi flet për kërcënime në Kryesi, Basha për reflektim

Nga A2 CNN
7 Qershor 2023, 16:50 | Politikë
Vijon përçarja në PD, Bardhi flet për kërcënime

Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e gjatë zhvilluar mes tensioneve, sharjeve e ofendimeve, duket se i hapi rrugën Lulzim Bashës për t’u rikthyer në krye, përmes zgjedhjeve të 29 korrikut.

Por nga ana tjetër, përçarjet u thelluan edhe më tej. Dorëheqja e Jorida Tabakut si nënkryetarja e vetme që kishte mbetur, u pasua nga largimet e Flamur Hoxhës dhe Oriela Nebiaj si anëtarë të Kryesisë së PD.

Ndërsa Gazment Bardhi krahasoi njerëzit e Bashës me një grupim paramilitar.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër Lulzim Basha nuk flet për dhunë apo presion ndaj deputetëve. Sipas tij mbledhja e Kryesisë ishte konstruktive, duke treguar se reflektimi ka filluar.

“Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike. Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas”, shkroi Basha.

Mbledhja e Kryesisë së PD u zhvillua mes tensioneve, ku pjesëmarrësit ishin të rrethuar nga njerëz të identifikuar si mbështetës të Lulzim Bashës, të cilët kanë reaguar ndaj tyre me ofendime dhe kërcënime.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos