Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik në vend ka rritur fluksin e shkëmbimeve tregtare në portin e Durrësit në nivel rekord, duke shënuar një rritje 9%, kundrejt edhe periudhës se përpara pandemisë.
Sipas të dhënave statistikore të Autoritetit Portual të Durrësit, aktiviteti përpunues, pra volumi i ngarkim-shkarkimit të mallrave, u regjistruar në 4,4 milionë tonë mallra, nga 3.8 milionë tonë në vitin 2020 dhe 4 milionë tonë në vitin 2019.
Përpunimi i mallrave po i afrohet kështu kapaciteteve maksimale që ofron porti në kushtet aktuale, në 5 milionë tonë në vit.

Rritja e volumeve tregtare është pasqyruar dhe në rritjen e të ardhurave të Autoritetit Portual, që për vitin 2021 kanë arritur në rreth 2,8 miliardë lekë, apo rreth 23 milionë euro.
Durrësi është porta kryesore e shkëmbimeve tregtare, duke përpunuar mbi 58% të mallrave që dalin nga Shqipëria dhe mbi 41% të atyre që hyjnë në vendin tonë. (A2 Televizion)