Portieri i Brazilit merr dy kartonë të kuq, por VAR kthen vendimin e gjyqtarit në të dyja rastet

Nga A2 CNN
28 Janar 2022, 12:51 | Futboll

Seleçao barazoi 1-1 në fushën e Ekuadorit. Avantazhi me Casemirou u anulua nga rrjeta e Félix Torres për vendasit. Sfida u karakterizua nga ndërhyrjet e ashpra dhe kartonët e kuq. Fillimisht, ishte portieri i Ekuadorit, Alexander Domunguez, i cili mori karton të kuq të drejtpërdrejtë, pasi goditi në qafë brazilianin Matheus Cunha.

Të njëjtin dënim mori edhe portieri brazilian Alisson, pak më vonë, pasi goditi në kokë Enner Valencian, por VAR e anuloi vendimin e gjyqtarit. Portieri i Liverpool mori një tjetër karton të kuq në kohën shtesë, për një ndërhyrje të rëndë ndaj Ayrton Preciado, por sërish VAR anuloi vendimin e gjyqtarit.

Me këtë rezultat, Tite ka shansin të bëhet trajneri i parë i Brazilit, që i mbyll kualifikueset pa pësuar humbje, ndërsa Ekuadori mbetet në garën për t'u kualifikuar.

Edhe pse e ka siguruar biletën në Botërorin e vitit 2022 në Katar, Argjentina nuk e toleroi Kilin, duke fituar 2-1 në transfertë. Avantazhit të shpejtë të “albicelestëve” me Di Maria, vendasit iu përgjigjën me Brereton. Megjithatë, Lautaro Martinez vulosi suksesin 2-1 prej pjesës së parë të lojës. Kili rrezikon të eliminohet, kur kanë mbetur vetëm tri ndeshje nga fundi i kualifikueseve në Amerikën Jugore, teksa me 32 pikë, Argjentina mbetet në vendin e dytë, me 4 pikë më pak se Brazili.

Shanse të mira për të siguruar vendin në Katar 2022 ka edhe Uruguai, që me golin e Luis Suarez fitoi minimalisht në fushën e Paraguait. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos