Një histori e pabesueshme vjen nga futbolli italian. 12 vjet pas largimit të detyruar nga fushat e lojës, Francesco Flachi përgatitet të kthehet në ndeshje zyrtare. Ish-sulmuesi i mirënjohur i Fiorentinës, Empolit dhe Sampdorias pret të zbresë në fushë në moshën 47-vjeçare.
Lojtari që regjistron mbi 40 gola në Serie A dhe ka luajtur një herë për Kombëtaren italiane të drejtuar nga Lippi në vitin 2004, u pezullua për shkak të përdorimit të substancave narkotike. “Ai që gabon duhet të paguajë. Tani kthehem në fushë me dëshirën që ta çaj rrjetën”, tha Flachi, i cili dukej tejet i motivuar për rikthimin në futbollin e luajtur.

Ai pritet të debutojë më 13 shkurt, në ndeshjen që skuadra e tij, Signa do të ketë përballë Prato 2000, e vlefshme për kategorinë e pestë në Itali. Sulmuesi e kreu dënimin nga fillimi deri në fund pa e dramatizuar situatën, por i vetëdijshëm se me veprimet e tij “shkatërroi një karrierë të bukur”. Pavarësisht 12-vjetëve të kaluara në “purgator”, ai nuk u dorëzua kurrë dhe më e rëndësishmja është që për asnjë moment nuk e humbi pasionin.
Tashmë, Francesco Flachi është gati të shkruajë një kapitull të ri, sepse me gjithë moshën e madhe do të rikthehet në fushë si lojtar, ndërsa në fund të sezonit do të nisë edhe kursin për trajner. (A2 Televizion)