Prapaskenat për portierin, Alban Hoxha praktikisht i larguar nga Partizani

Nga A2 CNN
10 Qershor 2020, 21:51 | Futboll
Prapaskenat për portierin, Alban Hoxha praktikisht i larguar nga Partizani

Një sezoni i dështuar, kontrata që përfundon këtë muaj dhe një ofertë me pagë më të ulët që nuk është marrë në konsideratë nga Alban Hoxha.

Portieri i Kombëtares dhe Partizani janë në prag divorci. Pritet vetëm zyrtarizimi sepse praktikisht qëndrojnë të ndarë në një shtëpi, të paktën deri më 30 qershor, kur përfundojnë edhe detyrimet kontraktuale.

Partizani i ofroi kapitenit kontratën e re, por me terma financiarë që ishin dukshëm më të ulëta se paga aktuale. Oferta u refuzua nga portieri duke bërë që marrëdhënia të krisej. Si dënim, klubi urdhëroi që në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, Alban Hoxha të mos luante, por të qëndronte në stol.

“Gardiani” e refuzoi vendimin dhe përfundoi në tribunë, ndërsa klubi njoftoi se 32-vjeçari ishte dëmtuar gjatë nxehjes. Gjithçka ka ndodhur në një periudhë kur klubi dhe drejtuesit e kuq janë në qendër të akuzave nga tifozët dhe opinioni për ecurinë e dobët, fillimisht me trajnerin Lerda dhe tashmë me italianin tjetër, Adolfo Sormani.

“Për momentin jam pjesë e Partizanit sepse kam kontratë me klubin deri në fund të muajit qershor. Në këto momente nuk mund të them asgjë për të ardhmen. Kur të përfundojë sezoni do të vendos më të mirën”, tha Hoxha.

Çështja e Alban Hoxhës lidhet sa me financat aq edhe me problemet brenda skuadrës. Ndërkohë, kapiteni nuk stërvitet me ekipin, është praktikisht i larguar dhe pret vetëm përfundimin zyrtar të kontratës, për të gjetur klubin e ardhshëm.

Portieri do t’i japë fund aventurës 7-vjeçare me të kuqtë, ku fitoi edhe titullin kampion, ndërsa humbja më e madhe është e Partizanit.

Në vitin 2019, kryeqytetasit mund të kishin përfituar më tepër se 200 mijë euro nga shitja e Hoxhës te Chievo Verona në Serie A, por pretendimet financiare, dyfish më të larta të Partizanit, ndikuan që marrëveshja të mos realizohej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos