
Nderim për viktimat e Covid-19 dhe për betejën e mjekëve me pandeminë. Në këtë mënyrë do të hapet Kupa e Italisë, e cila shënon edhe rinisjen e futbollit përtej Adriatikut.
Menjëherë ka një risi. Liga e Futbollit vendosi që për shkak të pauzës, që zgjati 3 muaj dhe për të evituar lodhjen e sportistëve, pasi kalendari do të jetë mjaft i ngjeshur, në Kupë të hiqen shtesat e lojës. Pra, nëse takimet e kthimit do të bënin që rezultati i përgjithshëm të ishte në barazim, skuadrat do të shkojnë menjëherë tek ekzekutimi i penalltive, për të përcaktuar fituesin.
Turneu nis të premten në orën 21:00, me gjysmëfinalen e kthimit ndërmjet Juventusit dhe Milanit, që kanë barazuar 1-1 në sfidën e parë.
Të shtunën, Napoli sfidon Interin, duke synuar të mbrojë avantazhin e fitores minimale në Meazza, ndërsa zikaltërit kërkojnë kthesën.
Këto përballje do të përcaktojnë edhe çiftin finalist, që do të zbresë në fushë më 17 qershor në Olimpico të Romës, me synimin të fitojë trofeun. Ndeshjet do të luhen normalisht me dyer të mbyllura, por ngjyrat në tribuna nuk do të mungojnë. Gjatë ndeshjeve do të realizohen projeksione me ngjyrat dhe logot e skuadrave që do të jenë në fushë. Një mënyrë për t’i dhënë pak atmosferë dy supersfidave, në rinisjen e futbollit në Itali. (A2 Televizion)