
Juventus është në tratativa intensive për emra të ndryshëm në krye të stolit me largimin e Masimiliano Allegrit.
Një nga alternativat e mundshme kohët e fundit është Antonio Conte, por ky i fundit shihet larg Torinos ditë pas dite. Jo vetëm Andrea Agnelli, pasi te Juventus, tekniku italian nuk preferohet as nga ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo.
Kjo, është kuptuar në konferencën e fundit të Allegrit teksa portugezi ka tundur kokën në shenjë mohimi në momentin që është pyetur nëse do të dëshironte të drejtohej pikërisht nga Antonio Conte në të ardhmen.
5 herë fituesi i “Topit të Artë” madje ka shprehur edhe kandidatët, që sipas tij, janë të duhurit për Juventus. Ronaldo preferon një mes Ancelotti-t dhe Murinho-s, por ky i fundit nuk dëshirohet nga tifozët e për më tepër as nga krerët e klubit. Megjithatë, presidenti Agnelli po i shqyrton me vëmendje idetë e portugezit si një ekspert i sukseseve në Europë. Megjithatë, Antonio Conte mbetet sërish më pranë stolit të Inter, ndërsa orët e fundit te Zonja e Vjetër qarkullojnë edhe emrat e Sarrit që mund të transferohet në Torino së bashku me Higuain, apo Simone Inzagi, i sapo shpallur kampion i Kupës me Lazion. (A2 Televizion)